Milik “jo”, Insinje në tribunë, Napoli s’ka “këllqe” për Championsin

Nuk ka përvojë dhe s’ka arritur kurrë të ketë sukses në këtë konkurrim. Napoli dhe Liga e Kampionëve janë një binom thuajse pa lidhje me njëri-tjetrin, diçka që u provua që në kohën e Maradonës, ndërsa po ndihet edhe këtë sezon. Fitorja e madhe 2-0 ndaj Liverpulit në “San Paolo” u ndoq nga barazimi zhgënjyes në fushën e Genkut, një 0-0 ndaj një skuadre që u shkatërrua 2-6 në start të Championsit nga Salcburgu.

Trajneri Karlo Ançeloti u ndje i pafuqishëm kur Arkadiush Milik nuk dha atë që pritej, në fazën sulmuese, ndërsa ishte i detyruar të linte në tribunë Lorenco Insinjen. “E pashë që ishte me shumë pak shkëlqim në stërvitje, ndaj zgjodha që ta lija pushim”, – u shpreh trajneri napolitan, që ka shumë përvojë në menaxhimin e rasteve të tilla. Ançeloti e di sesa punë mund t’i prishë barazimi, por zgjedh të thotë se “nuk ishim efikasë në mbylljen e aksioneve, por nuk kam asnjë vërejtje tjetër për djemtë, që luajtën me dëshirë dhe vullnet”. Një rezultat që ndihmon Liverpulin, por ndoshta edhe Salcburgun, ndërsa Napoli duket se nuk ka stolin e duhur për të luftuar deri në fund në të dy frontet, në Serinë A dhe në Champions.

Sfidanti.al