Shtatë gola dhe dramë, kjo ishte shumë edhe për Jurgen Klopin!

Do ta mbrojë apo jo titullin Liverpuli në Champions këtë vit, kjo mbetet për t’u parë, por e qartë është se me një trajner si Jurgen Klopi, çmenduria nuk mund të jetë kurrë larg. Kur të kuqtë morën kryesimin 3-0, falë golave të Sadio Manesë, Andrju Robertsonit dhe Mohamed Salahut, u duk se ata po bënin autokritikën e duhur për humbjen 0-2 në Napoli.

Prisni, mos u nxitoni! Nuk u desh të kalonin shumë minuta, vetëm 21 saktësisht, që Salcburgu të barazonte shifrat në 3-3. Austriakët, me shumë para në bankë për shkak të Red Bullit, goditën me lojtarë që sot nuk i njeh kush, por që nesër mund të jenë tepër të kërkuar. He-Çan Huan, Takumi Minamino dhe Erling Haland ishin autorët e golave.

Për fat, Klopi ka mjeshtra në fushë dhe Mohamed Salah riktheu epërsinë pas asistit me kohë të Roberto Firminos. Ishte minuta e 69-të dhe kohë pati plot për vazhdimin e çmendurisë, por nuk ndodhi më asgjë. Liverpuli u ngjit në vend të dytë në grup, me 3 pikë, duke qenë i qetë se mund të kualifikohet. Gjithsesi, e ka të qartë se do të duhet të lodhet shumë për të fituar ndeshjet.

“Është më mirë të mësosh leksionin gjatë ndeshjes, sesa të flasësh pas saj, – u shpreh Klopi, – mendoj se ishim të jashtëzakonshëm për 30 minuta, pastaj Salcburgu ndryshoi sistemin, ne humbëm topin, dhe kjo na kushtoi. U desh të prisnim barazimin për të reaguar. Nuk jam i mërzitur, djemtë luftuan fort dhe fituan, por nuk kemi nevojë për 6 apo 7 gola që të fitojmë. U thashë djemve se Salcburgu dëshiron të ketë një ndeshje për ta mbajtur mend dhe se do të reagojë”.

Sfidanti.al