Partizani e Kukësi nuk qenkan aq të fortë, i dorëzojnë kreun Tiranës!

Ishte një javë që foli për Tiranën. Skuadra kryeqytetase mbeti e vetme në krye të renditjes së Superligës, pasi dy rivalët kryesorë, Partizani e Kukësi, u mundën jashtë fushe. Kampionët në fuqi, nën drejtimin e trajnerit italian Franko Lerda, nuk mund të thuhet se luajtën keq në Kurbin, por gjithsesi nuk iu shmangën disfatës me Laçin.

Kjo fushë edhe një herë doli e mallkuar për të kuqtë, që bënë ndoshta edhe më shumë sesa vendasit, përveç golit. Heroi i ndeshjes për laçianët ishte Lushkja në minutat e para të pjesës së dytë, dhe skuadra e Starovës më në fund reflektoi duke u shfaqur ashtu siç ishte parashikuar, pra si një pretendente të paktën për në Ligën e Europës. Një triumf personal për trajnerin tiranas, që gjithë jetën ka qenë një njeri i Partizanit, por që këtë herë ishte kundër tij dhe e mundi.

Ky rezultat, ashtu si edhe ai i Kukësit, treguan se Superliga do të jetë e fortë këtë sezon, e ndoshta Tirana mund të ketë vitin e duhur për të fituar titullin. Pretendenti tjetër për kurorën, Kukësi, gjithashtu nuk u shfaq si ajo superskuadër që pretendohet se është. Ndaj Bylisit në Ballsh, nuk mundi të rezistonte deri në fund, edhe pse kaloi i pari në avantazh. Golit të Limajt që në fillim iu përgjigjën Hidi me penallti në pjesën e parë, dhe Guindo në minutën e parafundit.

Veriorët, edhe pse me shumë më tepër cilësi në përbërje, nuk u imponuan dot dhe trajnerit Duro do t’i duhet të punojë shumë me skuadrën për ta sjellë në gjendjen optimale. Pas katër javëve të para, Tirana kryeson Superligën me 10 pikë, ndaj 8 të Teutës, ndërsa ekipet e tjera janë më prapa.

Sfidanti.al