Sadiku beson se do ta gjejë fatin në Spanjë, por “dalë nga dalë”!

Nga prezantimi nuk pati asnjë vonesë dhe ai e tregoi veten. Armando Sadikut iu deshën vetëm pak ditë stërvitje me shokët e skuadrës, që të përshtatej tek Malaga, dhe të niste të bënte atë që di më mirë, golat. Ia doli këtë fundjavë, në sfidën e kategorisë së dytë të Spanjës në fushën e Mirandesit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e nisi kështu, shumë mirë etapën e dytë të karrierës në futbollin spanjoll, dhe shpreson të ketë më shumë fat sesa tek Levante.

“Dua që të jap rendiment më të lartë për ekipin, dhe të ndihmoj duke shënuar sa më shumë gola. Natyrisht, kjo nuk mund të bëhet menjëherë, por dalë nga dalë. Jam i lumtur për golin e parë, dhe sidomos që kam besimin e trajnerit dhe të shokëve të skuadrës . Jam shumë i kënaqur për këtë, dhe më ndihmon që të luaj më mirë”.

Kënaqësi edhe për lojtarin tjetër të kombëtares, Kristi Qose. Mesfushori që luan në Superligën e Sllovakisë, realizoi në ndeshjen që ekipi i tij, Ruzhomberok, luajti në fushën e Seregjit, dhe që përfundoi 1-1. Qose kaloi në epërsi Ruzhomberokun që në minutën e 28-të, ndërsa ishte në fushën e lojës për 72 minuta, derisa u zëvendësua.

Sfidanti.al