Janë harruar kohët e këqia kur fati nuk e ndihte aspak. Emir Lenjani, i vlerësuar nga ish-trajneri i kombëtares Xhani De Biazi edhe kur ishte pa skuadër, sot është ndër lojtarët më të mirë të Superligës së Zvicrës. Futbollisti i kombëtares shqiptare, që do të bashkohet në grumbullim me ekipin për eleminatoret e Euro 2020-ës, realizoi golin e dytë personal në kampionat, dhe rrjetën e fitores për ekipin e tij, Sionin, në ndeshjen e luajtur në fushën e Tunit.
Ishte minuta e 18-të, kur lojtari i krahut iu shkëput mbrojtësve për ta futur topin në portë, e për t’i dhënë mundësi Sionit të vazhdonte serinë e fitoreve, tashmë katër të tilla. Një sukses që e mban skuadrën në podiumin e Superligës, në vendin e tretë, me 13 pikë në 6 javë, e duke iu larguar disi ekipeve që vijnë pas.
Ndonëse nuk shënon aq shumë sa Bazeli e Jang Bojsi, sërish ekipi i Zvicrës franceze është vetëm 2 pikë larg kreut të renditjes. Bashkë me Lenjanin, aty luajnë edhe dy shqiptarë të tjerë të lindur në Zvicër dhe që kanë përfaqësuar kombëtaren zvicerane, si Pajtim Kasami e Valon Behrami, që këtë herë mungoi për shkak dëmtimi.
Sfidanti.al