Nuk ishte e lehtë që të garoje pas asaj që ndodhi. E shtuna ishte një ditë e tmerrshme në pistën e Spa-Frankorshampit në Belgjikë, dhe e diela spektakolare nuk mund t’i shuante imazhet e tmerrit. Këto janë garat e shpejtësisë, që i morën jetën një tjetër njeriu, një biri nëne të quajtur Antuan Hyber, dhe pavarësisht lirisë së njeriut për të bërë atë që i pëlqen, le të shpresojmë që një ditë t’i thuhet stop gjithçkaje që rrezikon ekzistencën e tij, me përjashtim të rasteve kur të jetë e domosdoshme.
Tragjedia e francezit Hyber ndodhi në Formula 2, dhe ishte e para në garat me makina që nga shuarja e francezit tjetër, Zhyl Blanshi, në Japoni pesë vjet më parë. Pilotëve të elitës, atyre të Formula 1, nuk u mbeti veçse të nderonin shokun e kolegun e tyre në garën e së dielës. Çmimi i Madh i Belgjikës ishte vërtet i bukur, një bukuri që siç thotë Ljuis Hamiltoni, i bën njerëzit të harrojnë rreziqet, ndërsa pati një fitues të ri.
Sharl Lëklerk i Ferrarit arriti triumfin e tij të parë në karrierë në Botërorin e Formula 1, duke i dhënë kënaqësi vetes, por edhe skuadrës italiane që nuk ishte lumturuar shumë së fundmi. Piloti 21-vjeçar nga Montekarlo bëhet kështu një nga më të rinjtë që ngjitet në kulmin e podiumit dhe bashkë me Maks Verstapenin quhen me të drejtë e ardhmja e sportit.
Lëklerk i ka marrë tashmë flamurin pilotit tjetër të Ferrarit, Sebastian Fetel, dhe duket se do të jetë ai numri 1 në vazhdim. Rrezikun e vetëm për fitoren, ai e pati nga Ljuis Hamilton, kampioni i botës që siç e ka traditë nuk dorëzohet deri në fund. Në një pistë të shpejtë, të favorshme për Ferrarin, ai pilotoi shkëlqyeshëm me Mercedes duke kërkuar fitoren deri në kthesën ë fundit.
Fitoi Lëklerk, por gara shkoi më shumë në favor të anglezin 34-vjeçar që thelloi epërsinë në krye të renditjes ndaj shokut të skuadrës, Botasit, në 65 pikë, me 268 ndaj 203. Lëklerku ia dedikoi fitoren fatkeqit Hyber, ndërsa ia vlen të kujtohen fjalët e Ernest Heminguejt se “vetëm lufta me dema, garat e shpejtësisë dhe alpinizmi janë sporte, të tjerët janë thjesht lojëra”.
Sfidanti.al