Mos vallë është viti i Atletikos? Titulli i Simeones s’duket çmenduri!

Rreziku më i madh prej më shumë se një dekade ka ardhur nga Katalonja, por duket si një “uragan” i zbritur në vlerësim thjesht si një “stuhi”. Me Barcelonën, që ka intensitet shumë më të ulët se vitet e shkuara, Atletiko e Madridit duket kandidatura më e mundshme për titullin në Spanjë. Skuadra që ka për trajner dikë me nofkën “i çmenduri”, pikërisht këtë sezon ngjan e “veshur e ngjeshur” siç duhet për të kremtuar në fund suksesin e madh.

Pra, jo një çmenduri nëse triumfon Atletiko e “të çmendurit” Diego Pablo Simeone. Në të vërtetë, janë luajtur vetëm tri javë në La Liga, por tendenca duket e qartë. Një Barçë pa ambicien e kaluar dhe me dëmtime të yjeve kryesorë, ndërsa Atletiko që mezi pret të përsërisë “epopenë” e vitit 2014, dhe me përbërjen e duhur.

Fitorja në “Uanda Metropolitano” ndaj Eibarit ishte nga ato suksese heroike që sjellin një titull, pasi vendasit ishin në humbje 0-2, dhe përmbysën në 3-2. Eibari, një ekip simpatik dhe krenar, shënoi me anë të Çarlsit dhe Arbijës, por “bardhekuqtë” u përgjigjën dhe Zhoao Feliks, Vitolo e Tomas siguruan fitoren.

Atletiko duket e fortë nga “maja e flokut” deri në “tabanin e këmbës”, me Oblakun në portë, Gimenezin e Tripierin në mbrojtje, Lemarin, Jorenten, Saulin, Koken në mesfushë, dhe me sulmuesit Diego Kosta e Zhoao Feliks. Plus janë edhe Felipe, Herrera, Rodrigo, Vitolo e Morata të gatshëm.

Sfidanti.al