Zikaltërit po luajnë dy kampionate, një në stadiumet e Serisë A, dhe një tjetër në zyra, në takime të fshehta e të hapura, si dhe në sallat e gjyqeve. Skuadra e Antonio Kontes vazhdon me fitoret, duke arritur edhe suksesin e dytë, këtë herë në fushën e Kaljarit, ndërsa “fronti Ikardi” është ende “i pashpërthyer”.
Në “Sant Elia”, Interi ia doli me meritë, por edhe me vështirësi. Luajti më mirë, ushtroi më shumë presion, krijoi më shumë raste dhe goditi shtyllën, ndonëse kaljaritanët nuk është se mbetën shumë më prapa. Nëse nuk do të kishte qenë një gabim në mbrojtje, dhe penalltia e kthyer në gol nga Lukaku, mund të kishin marrë edhe barazimin. Lautaro Martinez kaloi miqtë në epërsi në minutën e 27-të, ndërsa pas pushimit barazoi Zhoao Pedro për ishullorët.
Lukaku realizoi më në fund një penallti, pasi kishte humbur disa të tilla në Angli me Mançester Junajtidin apo me Evertonin. Suksesi bëri që zikaltërit të jenë në vend të parë të Serisë A, me pikë të barabarta me Juventusin kampion.
Sa për Ikardin, Bepe Marota deklaroi se “për këtë çështje kemi qenë tepër të qartë që më parë, dhe do të vazhdojmë të jemi të hapur edhe më pas”. “Do të jemi më konkretë në momentin që do të mbyllet dritarja e transferimeve, – vazhdoi administratori i deleguar i Interit, – nuk e quajmë një problem për ta zgjidhur, por një çështje normale për t’u menaxhuar “.
Sfidanti.al