Francezët nuk e deshën aspak këtë etapë të 19-të. Shpresat që një patriot i tyre të fitonte më në fund Turin e Francës, duket se nuk do të realizohen as këtë herë. Në ngjitjet e ashpra dhe të frikshme në Alpet e Europës, mori fund, të paktën përkohësisht, lavdia e Zhylian Alafilipit, kryesuesit të garës deri në etapën e 18-të.
Një yll i ri u ngjit në krye, ai që ishte parashikuar prej kohësh, dhe jo më kot i ishte dhënë nofka “Mesi i çiklizmit”. Kolumbiani Egan Bernal, më në fund, bëri atë që prisnin të gjithë, shpërtheu në itinerarin më të vështirë duke lënë pas gjithë të tjerët, në një etapë që nuk pati fitues.
Gjithsesi, nuk ishte ai që provoi i pari, por shoku i tij i skuadrës, britaniku Xhereint Tomas, i dyti në renditje në fillim të ditës. Bernal e ndoqi Tomasin, duke pasur një favor të madh duke bërë pjesë në skuadrën më të fortë të Turit, Ineos, pasardhëse e “Tim Skajt”. Ishte pikërisht skuadra që bëri diferencën, pasi Alafilipi nuk kishte shokë që ta ndihmonin atëherë kur kishte më shumë nevojë. Vetë Alafilipi pohoi më pas se kurrë nuk kishte besuar se do ta fitonte Turin e Francës, pasi kundërshtarët ishin në pozita më të favorshme.
Në ngjitjen e parafundit, në Val d’Izerë, ishte Bernal që bëri diferencën, duke u ngjitur me rreth 20 km në orë, shumë më shpejt se Alafilipi. Ky ishte momenti vendimtar, sepse ngjitja e fundit u anulua për shkak të stuhive dhe orteqeve të dëborës.
Fitues etape nuk pati, por më e rëndësishme ishte renditja e përgjithshme, ku 22-vjeçari mori Fanelën e Verdhë dhe mund të bëhet fituesi i tretë më i ri i Turit në histori. Tashmë, Bernal kryeson me 45 sekonda mbi Alafilipin, ndërsa uellsiani Tomas është i treti me një vonesë prej pak më shumë se 1 minute nga Fanela e Verdhë.
Sfidanti.al