Premtohet se ky vit do të jetë ndryshe. Federata Shqiptare e Futbollit mesa duket ka ndërmend ta cilësojë 2019-ën si vitin Zero për zbatimin e rregullave financiare, dhe burime brenda saj pohojnë se klubet që nuk do të jenë në rregull në 31 korrik, nuk do të pranohen në kampionat. Pavarësisht skenarëve që publikohen ditë pas dite, pritet që edhe emrat më të njohur t’i nënshtrohen kontrollit, ndonëse të paktën dy prej tyre kanë nisur të veprojnë.
Tirana ka bërë pagesa në organet tatimore prej mbi 200 milionë lekësh të vjetër, si dhe ka nisur shlyerjen mujore prej mbi 20 milionësh. Gjithsesi, muajt e fundit, klubi bardheblu nuk ka paguar në tatime, duke pritur edhe një falje të mundshme nga ana e qeverisë, sipas premtimit të kryeministrit Rama në tryezën me sportin.
Nga rreth 1 miliardë lekë të vjetër që tiranasit i detyrohen shtetit, vetëm 400 milionë janë detyrimi principal, ndërsa pjesa tjetër janë gjoba dhe kamatëvonesa. Vllaznia po ashtu ka nisur shlyerjet e detyrimeve. Sipas burimeve në Federatë, rreziku më i madh i kanoset Flamurtarit, i cili nuk ka bërë ende asnjë veprim, të paktën sipas këtyre burimeve. E vështirë edhe gjendja e Luftëtarit, presidenti i të cilit Tavo dha dorëheqjen pak ditë më parë.
Përsa i përket Skënderbeut, nuk dihet nëse do të ketë ndonjë vendim të Komisionit të Etikës, pas konfirmimit nga KAS të dënimit të UEFA-s, ndonëse korçarët kanë bërë me dije se do ta ndjekin çështjen në Gjykatën Federale në Zvicër. Burime pranë klubit pohojnë se presidenti Takaj mund të presë të paktën edhe një vit, deri në shqyrtimin e çështjes, ndërsa mund ta mbajë pa problem ekipin në Superligë me 350 milionë lekë të vjetër të dhënë nga Bashkia, dhe me një buxhet të vetin, kuptohet shumë më të vogël se vitet e tjera.
Sfidanti.al