Si të të lavdërojmë tani, Partizan i Lerdës? Më keq se me Karabakun!

Pas dy ndeshjeve ndaj Karabakut, Partizani i trajnerit Franko Lerda u lavdërua si një ekip me të tashme dhe të ardhme, i organizuar, dhe i disiplinuar taktikisht, dhe që ndaj Sherifit mund t’ia dilte. Kampioni i Shqipërisë sërish mund t’ia dalë, por do t’i duhet një mrekulli pas humbjes 0-1 në “Selman Stërmasi”. Për lavdërime sot nuk bëhet fjalë, dhe jo sepse ndeshja e parë e turit të dytë të Ligës së Europës u humb, por sepse niveli i lojës ishte shumë më poshtë sesa ndaj Karabakut.

Ku shkoi karakteri luftarak i lojtarëve të kuq, disiplina “fanatike” që nuk lejoi një ekip të fortë si ai azer për të dominuar? Nuk dihet se çfarë ndodhi, kjo mund të jetë thjesht një nga ato ndeshje futbolli që shkoi ters, por që nuk la shije të mirë. Gjithçka u zgjidh nga një gol i shënuar nga Tambe për miqtë në minutën e 23-të, ndërsa Sherifi i Moldavisë nuk është se tregoi ndonjë gjë të madhe, por Partizani ishte edhe më dobët.

Kështu u shprehën pjesëtarë të stafit teknik të kryeqytetasve, pra që nuk e prisnin Sherifin kaq dobët. Nëse kundërshtari do të kishte qenë më lart, imagjino se ino se çfarë mund të kishte ndodhur! Ish-sulmuesi i shquar partizanas, Edmond Dosti, deklaroi pas ndeshjes se “trajneri dhe lojtarët nuk shkojnë mirë, dhe se Lerda nuk besoj ta ketë të gjatë”. Kjo do të thotë se Partizani mund të rrezikojë jo vetëm eleminimin nga Europa, por edhe kampionatin.

Sfidanti.al