Karlos Teves quhet orteku me miliona që lëkund Azinë

Futbolli ka kohë që është bërë një sport, qëllimi kryesor i të cilit është fitimi. Duke futur në qarkullim shuma marramendëse, futbollistët po bëhen lojtarë shumë të shtrenjtë të atyre që kanë para shumë. Tanimë, nuk janë pak futbollistë me emra të mëdhenj që e fitojnë “bukën e gojës”, duke u paguar me shuma që nuk i meritojnë aspak. Shembulli i fundit në këtë drejtim ka lidhje me ligën e futbollit të Kinës. Pikërisht, futbollisti argjentinas Karlos Tevez, ish-pjesëtar i përfaqësueses së Argjentinës, ndodhet në prag të transferimit të tij tek ekipi Shangai Shenhua.

Çdo lloj transferimi, kudoqoftë, është në rregull, por paga mesatare që ai do të marrë në vit, plot 40 milionë euro të pabesueshme, me të vërtetë, duket e tepruar. Në klubin, ku luan tani Tevezi, te Boka Juniors, ai nuk merr më shumë se 2 milionë euro në vit! “Kemi bërë shumë përpjekje dhe mund të them se bisedimet janë shpejtuar, por kanë mbetur edhe pak çështje teknike që të zgjidhen në relacionin Boka Juniors – Shangai Shenhua”, deklaroi presidenti i klubit kinez, Vu Xhiali. Në rast se ky transferim do të realizohet, Tevezi do të marrë në vit 40 milionë euro që do të thotë 3 330 000 në muaj, 833 000 euro në javë dhe 119 000 euro në ditë, pra 4960 euro në orë, 83 euro në minutë dhe 1,37 euro në sekondë!

Sfidanti.al