Reali sërish fiton në “El Klasikon” e koshit, 2-0 finalja për titull

Nuk bënë punë 11 pikë epërsi në pjesën e parë, dhe 9 avantazh pas pushimit. Barcelona nuk arriti të fitonte ndeshjen e dytë të finales së plej ofit të ligës spanjolle, dhe tani Reali kryeson 2-0 me ndeshje. Dueli në Pallatin e Sportit të Madridit ishte tepër i fortë, krejt ndryshe nga sfida e parë fituar lehtë, 87-67, nga madrilenët. Këtë herë përfundoi 81-80, me një kosh të amerikanit Xhejsi Kerrëll (Carroll) në sekondën e fundit. Barça ishte 5 pikë përpara kur duheshin edhe 28 sekonda për t’u luajtur, por nuk ia doli. Kerrëll ishte shënuesi më i mirë për Realin me 25 pikë, ndërsa katalanasit u udhëhoqën nga Tomas Hërtel me 30 pikë.

“Kerrëll shënoi golin e Ramosit”, – shkruajti e kënaqur gazeta “Marka”, ndërsa theksoi se Jul, Randolf dhe Kerrëll ishin besimi, zemra dhe shpirti i Realit të Madridit. Tashmë, do të luhen dy ndeshje të tjera finale në Barcelonë, ndërsa sfida e pestë, nëse do të jetë e nevojshme, do të zhvillohet në Madrid. Reali do të shpresojë të lerë pas hidhërimin e humbjes në gjysmëfinale të Euroligës nga CSKA e Moskës, por edhe në finalen e Kupës së Mbretit përballë Barcelonës, me shumë polemika.

Sfidanti.al