Prindërit zgjedhin me monedhë, por Stef fitoi ndaj vëllait binjak!

Nuk kishte ndodhur kurrë që dy vëllezër binjakë të ndesheshin në finalen e Konferencës Perëndimore në NBA. Kjo po ndodh këto ditë, pasi Stefën dhe Seth Kërri kanë nisur të jenë përballë në duelin mes Golden Stejtit dhe Portlendit. Stef është një nga lojtarët më të mirë të basketbollit amerikan, ndërsa Seth është një nga gjuajtësit më të mirë për tri pikë, po ashtu si Stefi, Klej Tompsoni apo Xhejms Hardeni.

Prindërit e tyre, Dell (ish-lojtar i NBA-së) dhe Sonia, ishin dhe mbeten në dilemë se me cilin djalë të bëhen në finalet e Perëndimit. Ata hodhën poshtë idenë që të veshin fanela gjysma-gjysma, pra edhe të Golden Stejtit, edhe të Portlendit, duke vendosur për një zgjidhje tjetër, të hedhin short me monedhë përpara çdo ndeshjeje.

Nuk dihet rezultati i shortit të monedhës së prindërve, por dihet tashmë se Golden Stejti dhe Stefi e fituan ndeshjen e parë, në fushën e tyre, ndaj Sethit dhe Portlendit. Rezultati ishte i thellë 116-94. Stef Kërri fitoi edhe duelin mes binjakëve sepse shënoi 36 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, ndaj vetëm 3 pikëve, 3 topave në tabela dhe 2 asisteve të Sethit.

Golden Stejti kampion ishte pa Kevin Durantin dhe sërish pa Demarkus Kouzinsin, dy prej lojtarëve kryesorë, por kjo nuk u ndje aspak. Kapiteni Tompson shënoi 26 pikë, ndërsa Drejmond Grin shtoi 12 pikë, 10 topa në tabela, 5 asistë, 2 vjedhje dhe 3 bllokime gjuajtjesh. Ndeshja e dytë do të luhet sërish në fushën e Golden Stejtit.

Sfidanti.al