Nëse duhet një frymëzim, nuk mund të ketë më të mirë se ky. Mançester Junajtid arriti përmbysjen më të madhe në historinë e tij, dhe një nga më të mëdhenjtë në të gjitha kohët në Champions, në finalen e luajtur ndaj Bajernit pikërisht në stadiumin ku do të luajnë sonte, në “Kamp Nou”. Fitore 2-1 me njërin nga golat shënuar nga trajneri i tanishëm, Ole Gunar Solskjer.
Skuadra e madhe angleze do të përpiqet të arrijë kualifikimin për në gjysmëfinale, edhe pse ndeshjen e parë në fushën e saj e humbi 0-1. Frymëzim po kaq i madh sa finalja e vitit 1999, ndoshta edhe më shumë, janë dy përmbysjet e këtij sezoni, fillimisht fitorja 2-1 në stadiumin e Juventusit në fazën e grupeve, dhe më pas, kulmi, kualifikimi në fushën e Paris SG, me fitoren 3-1, pas humbjes së rëndë 0-2 në “Old Traford”.
Anglezët udhëtuan drejt Barcelonës, duke pasur edhe lajme të mira. Nemanja Matiç dhe Aleksis Sançez janë pjesë e skuadrës pasi lanë pas dëmtimet, por ashtu edhe Mateo Darmian. Mungesat janë Ljuk Shou i pezulluar dhe Ander Herrera i dëmtuar.
“Jam i bindur se mund të fitojmë, – tha Solskjeri, – veçse, nuk duhet ta lemë veten në dorë të fatit. Duhet të luajmë më mirë sesa në ndeshjen e parë, ndryshe nuk ia dalim dot. Kur përmbysëm finalen e Championsit ndaj Bajernit në këtë stadium unë isha lojtar, dhe është një kujtim i paharruar, veçse nuk është se e mendoj shumë atë fitore. Mendoj se përmbysja që realizuam në fushën e Paris SG mund të na ndihmojë të kemi besim”.
Barcelona, ndërkaq, duket se nuk ka asnjë problem. Trajneri Valverde la pushim gjithë skuadrën në ndeshjen e fundjavës në ligën spanjolle, pra lojtarët patën kohë të linin pas dëmtimet dhe sidomos lodhjen. Lionel Mesi pritet në fushë, edhe pse u dëmtua në fytyrë në “Old Traford”.
Dilema e vetme e trajnerit është nëse duhet të ketë titullar Kutinjon apo Dembelenë, pasi sulmuesi francez është i aftësuar, dhe në gjendje për të luajtur edhe pse jo 90 minuta. Ai paralajmëroi për diçka tjetër.
“Ne e kemi shumë të qartë se çfarë karakteri kanë lojtarët e Junajtidit, – tha Valverde, – kualifikimi ende nuk është vendosur. Mançester Junajtidi ka diçka speciale në minutat e fundit dhe e ka treguar disa herë. Anglezët fituan një Champions në këtë mënyrë (në 1999). Po ashtu, po e bëjnë këtë sezon duke fituar 3 nga 4 ndeshjet jashtë fushe. Ne do të bëjmë lojën tonë, do të sulmojmë, por edhe do të kemi kujdes. Fitorja e parë nuk është garanci”.
Pavarësisht nga fitorja ndaj Bajernit, Junajtid dhe skuadrat angleze nuk kanë histori të mirë në “Kamp Nou”. Fitoret e vetme janë të Liverpulit, një herë në Champions dhe një herë në Kupën UEFA, ndërsa në 22 ndeshjet e tjera në Ligën e Kampionëve, janë arritur 9 barazime dhe janë pësuar 13 humbje. Barcelona është favorite për fitore, sipas parashikimeve, me kuotë tepër të ulët 1.35, pra jepet thuajse e sigurt për kualifikimin.
Sfidanti.al