Kur Partizani humbi “madherishëm’ me Luftëtarin duke e mbushur “kupën”, askush nuk guxoi të shkonte me vrap tek tifozët për t’i përshëndetur, dhe jo e jo, por për t’i kërkuar një falje të madhe! Humbjet dhe fitoret na ndryshojnë sjelljen, madje zbulojnë se për humbjet duket sikur faji vjen nga qielli, kurse për fitoret…heronjtë dalin nga toka. Partizani, sunduesi i kampionatit, ka flakur shumë shpejt petkun e humbjeve rekord në tri ndeshjet e Kupës me Luftëtarin, sapo ka mundur Skënderbeun me dy gola në ..tokën e tij të zaptuar.. në kampionat. Fjalët e trajnerit Gega(mos shkofshin) në vesh të perëndisë, pasi është pyetur për atë flamë humbjesh në Kupë : “ Të jem i sinqertë, as unë nuk jam në gjëndje t’i jap shpjegim…”
Po t’i besojmë me shpirt proverbit të lashtë të futbollit se “ nga humbjet mëson më shumë se nga fitoret”, trajneri Gega duket sikur ka bërë disi autogol kur ka thënë se “ tri humbjet me Luftëtarin, sinqerisht, nuk di t’i shpjegoj edhe sot”. Të gjitha humbjet meritojnë të shpjegohen, sidomos kur ato japin dozë dyshimesh, ngaqë ndryshon cipa e karakterit si pa të keq , tamam kur katapultojmë nga ndeshjet e Kupës tek ato të Kampionatit. Kjo ndeshja me Skënderbeun, ishte një fitore e pastër, për të cilën mund të festosh golat me nderim sportiv apo me festim ushtarak, si bëjnë në foto futbollistët në nderim të brezave që krijuan klubin. Por, nderimi i lojës vlen shumë , madje më shumë, edhe kur e humbet betejën. Nëse ka qënë betejë e vërtetë….
Sfidanti.al