Kthimi i Ikardit, një “thikë me dy presa” për Interin

Koha është shëruesja më e mirë. Nuk thuhet kot kjo shprehje e urtë, së cilës i afrohet titulli i këngës së Bitëllsave, “Le të jetë” (Let it be). Koha solli një shërim edhe për krisjen mes Interit dhe Mauro Ikardit, pasi sulmuesi do të kthehet përfundimisht në stërvitje. Kaloi një muaj, krejtësisht i mjaftueshëm për reflektim, për të bërë llogaritë dhe për të ulur gjakrat.

Gjithsesi, nuk mund të thuhet se mjafton që Ikardi të kthehet në stërvitje apo në fushë, dhe gjithçka të ketë fund të lumtur. Çarja ishte e thellë, dhe më shumë sesa vetë argjentinasi, atë e shkaktoi sjellja e së shoqes dhe agjentes së tij, Uanda Narës. Nuk mund të lihet pa u theksuar se drejtuesi zikaltër, Bepe Marota, u takua për të bërë paqe, jo me Uandën, por me avokatin e Ikardit, Paolo Nikoletin.

Marota ishte prapa vendimit për t’i hequr sulmuesit shiritin e kapitenit, dhe reagimi ishte vullkanik, me largim protestues të Ikardit nga skuadra, edhe pse kjo u mbulua me një dëmtim në gju. “Mbulesë” që vetë Interi e hodhi poshtë, kur stafi mjekësor nxorri se lojtari nuk kishte asnjë problem.

Tashmë pritet të shihet sesi do ta presin shokët, ish-kapitenin, pasi nuk duhet harruar se ai i kishte marrëdhëniet të prishura me shumëkënd. Si do të sillet Uanda këtej e tutje, dhe sa aftësi do të ketë trajneri Luçiano Spaleti për të luajtur rolin e “paqeruajtësit” apo “babait autoritar” për të mirën e skuadrës. Me kthimin në fushë, Ikardi mund ta ndihmojë Interin drejt Championsit, si edhe për të përfituar më shumë nga transferimi i tij i mundshëm në verë. Edhe për vetë sulmuesin, do të ishte më mirë të kthehej sa më parë te golat.

Sfidanti.al