Gara ishte për të, që nga fillimi, deri në fund. Siç nuk kishte ndodhur thuajse kurrë më parë, ishte Valteri Botas e jo Ljuis Hamiltoni, dominuesi i një Çmimi të Madh në Formula 1, pikërisht të atij të fillimit të sezonit në Australi. Mos ndoshta, kampioni i botës nuk duhet të shqetësohet aq shumë për sfidën nga Sebastian Feteli i Ferrarit, por nga lufta brenda llojit tek Mercedesi?
Natyrisht, është shumë shpejt për të bërë parashikime, veçse piloti finlandez krijoi iluzione me epërsinë absolute në pistën e Melburnit. Gazeta angleze, “Deili Meil” shkruan gjysmë me shaka se Botasi është kthyer në fitues, pas një dimri të kaluar me vodka dhe me pure patatesh.
Finlandezi njihet për pëlqimin e tij për vodkën, edhe pse sporti profesionist nuk e lejon ta teprojë, por të marrë më shumë qumësht apo lëng frutash. Po ashtu, Botasi është i famshëm për jetën e tij tepër sportive, si njeri që pëlqen slitat e tërhequr nga qentë Haski, apo edhe lojën e hokejit në akull, gjithnjë pa u ekspozuar ndaj dëmtimeve. Çfarë mund të pritet tjetër nga një njeri që jeton në një vend kaq verior dhe të ftohtë sa Finlanda?
Njëzetenëntëvjeçari ndoshta është përshtatur më në fund në skuadrën më të fortë të botës, për të përballuar presionin e jashtëzakonshëm, ndërsa përgatitja e lartë fizike besohet se e ndihmon shumë, ashtu si edhe jeta më e rregullt se Hamiltoni.
Gjithsesi, Formula 1 është një sport kolektiv, pasi nuk mjafton vetëm të drejtosh mirë makinën. Suksesi i Botasit i përket gjithë skuadrës së tij, teknikëve dhe inxhinierëve, që përgatisin një mrekulli si Mercedesi, në mënyrë krejt të pavarur nga Mercedesi i Hamiltonit.
Në Çmimin e Madh të Australisë, finlandezi i vuri në rresht të gjithë, Hamiltonin, Verstapenin dhe Fetelin, madje me distancë të madhe. “Padyshim ishte paraqitja ime më e mirë në karrierë, – u shpreh ai, – as tani nuk e di se çfarë ndodhi, dhe nuk kam fjalë për ta treguar. Gjithçka ishte e përsosur, dhe unë dhashë maksimumin”.
Botasi u bë i pari që fitoi 26 pikë pas suksesit, duke marrë edhe pikën shtesë si shpërblim për xhiron më të shpejtë të garës. Ai duhet të përgatitet për një rivalitet të ashpër me shokun e tij të skuadrës, pasi Hamilton nuk do të dorëzohet deri në fund, por mund të marrë moral nga triumfi i Niko Rosbergut, gjithashtu me Mercedesin, që mundi kolegun dhe rivalin, Hamilton.
Sfidanti.al