Pep, edhe arbitri dhe (mungesa e) VAR të ndihmojnë për trofetë

Mançester Siti përmbysi një humbje thuajse të sigurt në një fitore, duke mbetur me shpresë për të fituar edhe Kupën e Anglisë, në një sezon që mund të jetë i lavdishëm. Suonsi po kryesonte 2-0 në Uells, falë golave nga Mat Grajms (penallti) në 10’ dhe ish-lojtarit të Sitit, shqiptarit të Kosovës, Bersart Celina.

Kishin mbetur vetëm 20 minuta lojë, kur David Silva i dha “frymë” të vetëve, ndërsa Sergio Aguero shënoi një dygolësh në minutat 78 e 89, të parin me penallti. Njëmbëdhjetëmetërshi i fituar nga Stërling ishte i dyshimtë, siç theksoi edhe media angleze, ndërsa rrjeta e avantazhit, me shumë gjasë, ishte në pozicion jashtë loje.

Guardiola mund të quhet me fat që VAR-i nuk ekziston në Kupën e Anglisë, dhe skuadra e tij falë kësaj është tani në gjysmëfinale, pra dy hapa larg fitores së trofeut. Siti është 1 pikë larg në krye të Premier Ligës, në çerekfinale të Championsit, fitues i Kupës së Ligës angleze, dhe në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë. Vullneti dhe guximi nuk mungon, as potenciali i madh, aq sa Pep la në stol Agueron e Stërlingun, edhe pse u detyrua t’i aktivizonte më pas.

Sfidanti.al