Tek Mançester Siti, parajsës së tij i mungon vetëm një “kat”, Liga e Kampionëve. Pep Guardiola nuk është nga ata që largohen lehtë nga skuadrat që drejtojnë, përveçse për ndonjë arsye madhore, ndërsa ambicia e tij është aq e madhe sa dëshiron të fitojë gjithçka përpara sesa të thotë “lamtumirë”. E pra, ka ardhur momenti që ky Pep i madh të braktisë “anijen” dhe të fluturojë për në Itali tek Juventusi?
Mediat italiane shkruajnë kështu, dhe burimi është nga gazetari Luixhi Guelpa, njeriu që thotë se prej tij doli së pari lajmi për Kristiano Ronaldon tek Juvja. Nëse është kështu, burimi mund të quhet i besueshëm, por ende jo 100 për qind.
E qartë që Alegri mund të quhet në prag largimi nga “Zonja e Vjetër”, pasi Championsi nuk po arrihet. Veçse, a nuk do të ishte më e udhës për Guardiolën që të fitonte më parë këtë Champions tek Siti, për t’u bërë legjendar për së dyti, ashtu siç u bë tek Barcelona. Tek Bajerni nuk mundi dhe nuk ia rinovuan kontratën.
Së dyti, ku do ta gjejë ai kënaqësinë e konkurrencës së madhe që ekziston sot vetëm në Angli? A nuk ishte rivaliteti madhështor me Realin që i dha shkëlqimin fitoreve të tij në “Kamp Nou”? Pep nuk është nga ata trajnerë që shkojnë në Mynih apo Torino, sepse Bundesliga dhe Seria A janë të lehta për t’u fituar.
Gjithsesi, mund të ketë një arsye që ta shtyjë për të braktisur aventurën e tij të shkëlqyer në “Etihad”, dhe kjo nëse UEFA i ka seriozisht kërcënimet për hetim dhe dënim të klubit në Champions. Në kushte të tilla, skenari do të ndryshonte dhe Guardiola do të ishte dakord që të braktiste një “Titanik”, për të shkuar në një klub me të cilin mund ta fitojë Ligën e Kampionëve.
Sfidanti.al