Rekordi i Robert Levandovskit nxjerr Bajernin të parin në Bundesligë!

Dy fitore për të vazhduar garën ballë për ballë. Bajerni e Dortmundi i kaluan me sukses sfidat e javës në Bundesligë, ndonëse ndeshjet nuk i ngjanë aspak njëra-tjetrës. Bavarezët nuk patën asnjë problem ndaj Volfsburgut, madje e kthyen në një garë për gola, me rezultatin përfundimtar 6-0.

Robert Levandovski ishte autor i dy rrjetave, për 2-0 në minutën e 37-të dhe për 6-0 pesë minuta para fundit. Sulmuesi polak ka tani 197 gola në Bundesligë, duke iu afruar shifrës simbolike 200. Levandovski është i huajti që ka realizuar më shumë në kampionat, duke lënë pas Klaudio Pizarron e Verderit. Golat e tjerë kishin për autorë Serzh Gnabrinë, Hames Rodrigezin, Tomas Mylerin dhe Xhoshua Kimihun.

Shumë më i vështirë suksesi i Dortmundit. Pjesa e parë në “Signal Iduna Park” ndaj Shtutgartit u mbyll pa gola, ndërsa pas pushimit Marko Rojs me penallti gjeti avantazhin. Gjithsesi, të rinjtë vendas nuk e mbajtën presionin dhe u barazuan shpejt nga Mark-Oliver Kempf.

Ekipi i trajnerit Lysien Favre, u kthye megjithatë tek suksesi, me golat e vonshëm nga Pako Alkaser dhe Kristian Pulishiç. A do të thotë kjo se u la pas kriza në Bundesligë dhe eleminimi nga Championsi? Nuk është e lehtë ta thuash, ndërsa gara për titull me Bajernin vazhdon e ashpër. Dy skuadrat kanë nga 57 pikë, por bavarezët kanë golaverazh më të mirë, duke mbajtur vendin e parë.

Sfidanti.al