Bashkë me Kupën e Anglisë, janë garat më eksplozive në kontinentin europian. Me formulën e saj me një takim të vetëm dhe me një demokraci të vërtetë në fushë, Kupa e Gjermanisë sjell çdo sezon të papritura të bukura. Këtë herë, surpriza ishte eleminimi i Bajer Leverkuzenit të Bundesligës nga Hajdenhajmi i kategorisë së dytë, që u kualifikua për në çerekfinale.
Shvabët ia dolën 2-1, ndonëse Julian Branti shënoi i pari për miqtë. Moris Multhaup dhe Niklas Dorsh ishin autorët e golave të përmbysjes, pas pushimit. Ishin plot 11 400 tifozë në stadiumin “Foit Arena” të Hajdenhajmit për të ndjekur mrekullinë e skuadrës së tyre, që përballoi një kundërshtar shumë më të fuqishëm. Leverkuseni mbajti topin 76 për qind, pati mbi 750 pasime ndaj 230 të vendasve, por rezultati ishte për të zotët e shtëpisë.
Sfidanti.al