Sarri gjen Higuainin, por tek Çelsi ka humbur … Hazari!

Gjashtë muaj është koha për të cilën është huazuar, por trajneri i tij shpreson që të jetë e mbushur me gola. Gonzalo Higuain, siç pritej, bëri prezantimin si lojtar i Çelsit, i dhënë përkohësisht nga Juventusi, dhe me shpresë që të bëjë të harrohet periudha e vështirë tek Milani. Sulmuesi argjentinas tha shprehjet e njohura si “nuk desha ta humbisja këtë mundësi, pasi Çelsi është klub me histori, ka stadium të shkëlqyer, dhe luan në Premier Ligë, një kampionat ku kam dashur të jem”. Gjithsesi, Higuain nuk do të luajë dot në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Ligës ndaj Totenhemit (0-1 ndeshja e parë), për shkak se nënshkrimi i kontratës u bë më vonë sesa afatet.

Trajneri Mauricio Sarri u shpreh se “ai pati disa vështirësi së fundmi (tek Milani), por shpresoj që ai të kthehet sërish në formën e tij më të mirë dhe të shënojë gola për ne”. Gjithsesi, italiani mund të thuhet se ka zgjidhur një problem (bashkë me largimin e Alvaro Moratës), por ka ende një tjetër. Eden Hazar, lojtari më i mirë i skuadrës, nuk po jep atë që duhet. “Në këtë moment, ai nuk po tregohet një udhëheqës për ekipin”, – u shpreh Sarri. Edhe vetë Hazari e pranoi se kohët e fundit nuk po luan siç duhet.

Sfidanti.al