Kristof Piontek është prezantuar si lojtar i Milanit, dhe mund të luajë që këtë fundjavë ndaj Napolit. Sulmuesi polak, pasi shënoi 19 gola në 21 ndeshje për Xhenoan (13 në Serinë A), do të përpiqet të vazhdojë këtë seri edhe me fanelën kuqezi. Ai u prezantua nga drejtuesit Leonardo e Maldini, dhe zgjodhi numrin 19 në fanelë.
Kontrata e tij vlen deri në 2023, me një rrogë që nis me 1.8 milionë euro, dhe që mbërrin deri në 2 milionë, por padyshim edhe me shpërblime në bazë të golave të shënuar. Stërvitjen e parë, do ta bëjë sot në orën 15:30, me shokët e tij të rinj në Milanelo.
Nëse Milani e bëri blerjen e tij, Interi e ka në shtëpi, por po përpiqet që të mos i largohet. Mauro Ikardi pati takimin e parë me drejtuesit zikaltër, për rinovimin e kontratës, dhe në takim padyshim që morën pjesë gruaja e tij, Uanda Nara, si dhe Marota, Auzilio dhe Gardini. Një takim, pra, “i blinduar”, një lloj “nxemjeje” për të dyja palët.
Gjithsesi, klubi i ka të qarta idetë e veta, pasi rroga-bazë e kapitenit do të shkojë nga 4.5 në 7 milionë euro në kontratën deri në 2023, plus shpërblimet, ndërsa dëshira e Marotës është që të hiqet klauzola prej 110 milionë eurosh për t’u transferuar jashtë Italisë. Logjikshëm, pasi disa klube mund ta paguanin për të marrë Ikardin.
Sfidanti.al