Trapatoni, legjenda “hidhet” në rrjetet sociale, tek të rinjtë

Sa kohë jetojmë, mund të mësojmë. Xhovani Trapatoni, një nga trajnerët më të mëdhenj italianë dhe të gjithë botës, nuk është nga ata që e mbyll “librin e jetës”, madje ka hapur një faqe tjetër. Që nga 8 tetori i vitit të kaluar, është hedhur “me kokë” në rrjetet sociale, sidomos në Instagram, por ka hapur një adresë edhe në “Jutub” (Youtube), madje ka edhe një faqe onlajn (online).

“Dua që të eci me kohën, – shprehet Trapi, – jam 80 vjeç thuajse, gruaja më ka ndaluar që të punoj si trajner, por nuk mund të më ndalojë këtë dëshirë tjetër që kam. Dua të jem më afër me të rinjtë, të mësoj, por edhe të tregoj se cilat janë vlerat që më kanë bërë ky që jam”.

“Ky që jam” nuk është pak, pasi Trapatoni ka fituar shumë në fushë dhe në stol. Si lojtar fitoi dy herë Serinë A me Milanin, dy Kupa të Kampionëve, Kupën e Kupave të Europës dhe Kupën e Italisë. Si trajner, doli gjashtë herë kampion i Italisë me Juventusin, fitoi dy herë Kupën e Italisë, Kupën e Kampionëve, Kupën e Kupave të Europës, Kupën UEFA dy herë, po ashtu Superkupën e Europës dhe Kupën Ndërkontinentale.

Me Interin u shpall kampion në 1989, fitoi edhe Superkupën e Italisë dhe Kupën UEFA, tek Bajerni fitoi Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Kupën e Ligës, me Benfikën doli kampion i Portugalisë dhe me Salcburgun fitoi titullin në Austri. Gjithsej, 26 trofe në total, në një karrierë të jashtëzakonshme që nisi në 1957 si lojtar fare i ri, dhe përfundoi në 2008 si trajner.

Sfidanti.al