Donçiç pranë rekordit të NBA-së, por fitorja ishte e Antetokumpos

Dueli ishte tepër interesant dhe asnjëri nga kampionët nuk iu shmang. Janis Antetokumpo dhe Luka Donçiç u vunë përballë në Arenën e Miluokit në Uiskonsin, dhe secili e fitoi sfidën sipas mënyrës së tij. Ndeshja ishte e Miluoki Baksit, pra e vendasve, me shifrat 116-106, dhe që vazhdojnë të jenë skuadra më e mirë e NBA-së deri tani. Antetokumpo shënoi 31 pikë në 35 minuta, kapi 15 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë.

Po Donçiç? Slloveni 19-vjeçar nuk iu druajt aspak greko-afrikanit 24-vjeçar, pavarësisht diferencës aspak të vogël në shtatlartësi (2.01 metra ndaj 2.11). Ylli i Dallasit realizoi tripëll dabëllin e parë në karrierë në NBA, duke u bërë lojtari i dytë më i ri në histori që ia del. i pari mbetet Markel Fulc, që e arriti 10 ditë më i ri sesa slloveni.

Donçiç shënoi 18 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, po ashtu vodhi një top dhe bllokoi një gjuajtje. Donçiç dhe Fulc mbeten adoleshentët e vetëm që kanë realizuar tripëll dabëlla në NBA, pasi gjithë yjet e tjerë kanë luajtur aty në moshën 20 vjeç e sipër.

Sfidanti.al