Një gjigande si ajo është mësuar që të jetë gjithnjë e para. Serena Uilliams ka kaluar plot 319 javë në krye të renditjes botërore të femrave në tenis, ndaj nuk mund të quhet ndonjë gabim i madh, ajo që i ndodhi në vigjilje të sfidës ndaj Simona Halepit. Amerikania 37-vjeçare po priste në tunelin e brendshëm të Arenës së Melburnit, dhe dëgjoi zërin e folësit, që tha: “Dhe tani, numri 1 i botës”. Pa pritur të dëgjonte emrin, ajo u shfaq përpara rreth 15 000 spektatorëve, të cilët edhe e duartrokitën, por edhe u habitën.
Serena e kuptoi shpejt gabimin dhe bëri një rrotullim të shpejtë, e vënë tepër në pozitë, sikur të ishte një fëmijë i vogël. Menjëherë pas saj, doli duke qeshur rumunia Halep, e cila madje bëri shaka me Uilliamsin, në rrjetet sociale. Gjithsesi, kur erdhi puna tek ndeshja, “mamaja” Serena tregoi klasin dhe forcën e saj në duelin më të bukur deri tani në Australian Open. Ajo fitoi 2-1 me sete, 6-1, 4-6, 6-4.
Sfidanti.al