Totenhemi ka gjithnjë një Harri, që ta shpëtojë, por jo Kejnin

Një Harri, ai më i rëndësishmi, do të rrijë ndoshta dy muaj pa luajtur. Gjithsesi, emri Harri qenka shumë i lidhur me Totenhemin, dhe padyshim që qenka shumë i rëndësishëm. Një lojtar i ri, i quajtur Harri Uinks, shpëtoi “gjelat” në derbin që po e barazonin në fushën e Fulhamit. Ishte një nga ato ndeshje ndaj një kundërshtari tmerrësisht të forcuar nga dëshpërimi, pasi është duke rënë nga kategoria.

Fulhami kaloi në epërsi me një autogol të Jorentes në pjesën e parë, por Dele Ali barazoi pas pushimit. U duk se ndeshja do të përfundonte barazim, dhe skuadra e trajnerit Poçetino do ta rrezikonte edhe më shumë vendin në Champions, por mendoi “Harri i dytë”, Uinksi, që shënoi golin e fitores, në minutën e fundit të kohës shtesë. Totenhemi u ngjit në 51 pikë, ndaj 47 të Çelsit të vendit të katërt, por fitorja u pagua shtrenjtë, sepse Dele Ali pësoi një dëmtim, që mund të mos jetë aq i lehtë.

Sfidanti.al