Konfederata Afrikane e Futbollit (AFA) ka përcaktuar emrat e futbollistëve që do të konkurrojnë për titullin e futbollistit më të mirë të vitit 2016 në kontinentin e “zi”. Më 2015, ky titull iu dha Pjer Emerik Obamejangut, që edhe këtë vit do të jetë përsëri midis kandidatëve kryesorë, ndërsa rivalë të tij do të jenë Riad Marezin dhe Sadio Manen.
Krahas këtyre tre lojtarëve të lartpërmendur, në listën e favoritëve është edhe lojtari i Romës, Mohamed Salah, si edhe ai i Lester Sitit, Islam Slimani, i cili sezonin e kaluar ishte golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin portugez, kur luante me Sportingun e Lisbonës. Fituesi i titullit të lojtarit më të mirë në Afrikë do të zgjidhet me votim nga trajnerët dhe të gjithë drejtorët teknikë të shoqatave ose federatave afrikane të futbollit, që bëjnë pjesë në Konfederatë. Emri i fituesit do të shpallet në një mbrëmje gala, që do të zhvillohet më 5 janar 2017, në Abuxha të Nigerisë.