Tifozët e ekipit më popullor rus të futboll, Spartaku i Moskës, kanë një arsye serioze që të gëzohen, pasi kuqebardhët, për herë të parë pas 16 vitesh, ndodhen në krye të kampionatit të Rusisë, pas përfundimit të gjysmës së parë të tij. Një meritë të madhe ka trajneri italian, Masimo Karrera, që duhet të theksohet se, në fillim të sezonit aktual, u mor që të punojë si specialist me mbrojtësit spartakas. Por shumë shpejt, pak kohë pas nisjes së sezonit, trajneri i parë i ekipit të Spartakut, Dmitrij Aleniçev, u shkarkua dhe Karrera u caktua që të kryente përkohësisht funksionet e trajnerit të ekipit.
Por, pas një serie ndeshjesh të suksesshme, kryesia e Spartakut vendosi që të rrezikojë dhe ta konfirmojë në krye të këtij klubi moskovit, italianin pa përvojë. Kështu që mund të thuhet, se ky veprim i bosëve të Spartakut doli se ishte gjenial. Karrerën emocional, tani e duan të gjithë: bosët dhe futbollistët që thonë fjalët më të mira për të, si edhe tifozët, që gjatë ndeshjeve të Spartakut mbajnë në duar parrulla në italisht, ku i bëjnë elozhe Karrerës (Forza Massimo), ndërkohë që kolegët e tij thonë se ai e ka përmirësuar mjaft lojën e ekipit në mbrojtje dhe e ka bërë atë më të disiplinuar.