“E duam, s’e duam”, Barça bën “abra kadabra” me Dembelenë!

Një mëngjes, pas një gjumi jo të qetë, një nga mendimet e para që i vjen në kokë trajnerit të Barcelonës, Ernesto Valverde, është që t’i tregojë vendin Usman Dembelesë. “U bë ai, një 21-vjeçar që të sillet si të dojë tek Barcelona, – thotë me vete njeriu i stolit, – një dru i shtrembër prish gjithë vandakun, pra më mirë ta largojmë sa nuk është vonë”.

Megjithatë, më vonë, ndërsa kthjellohet dhe bën llogaritë e sezonit, kupton se edhe pse tepër zevzek, Dembele i siguron Barcelonës disa pluse që asnjë lojtar tjetër nuk mund t’ia sigurojë. As Luis Suarez, as Muniri, madje as Kutinjo, ndërsa Mesi nuk mund të jetë gjithnjë në rolin e “Mesias”.

Dembele, ashtu i çoroditur, “ku rafsha, mos u vrafsha”, krijon gola nga hiçi, tremb një mbrojtje të tërë me vrapimin e tij, dhe siguron asiste (kur është në kohë të mirë).

Barcelona pagoi fillimisht 105 milionë euro për ta marrë, ka paguar deri tani edhe nja 10-12 milionë euro të tjera, ndërsa pritet të nxjerrë nga xhepi për Dortmundin edhe gati 30 milionë euro. Një çmenduri prej gati 150 milionë eurosh për këtë francez tekanjoz, që ka edhe rrogë prej gati 12 milionë eurosh në sezon.

Nëse Barça vendos ta shesë, Liverpuli mund të kandiset të paguajë 100 milionë euro, dhe katalanasit do të nxirrnin pjesën më të madhe të shpenzimeve, do të shpëtonin nga 30 milionë euro pagesa shtesë, dhe nga 12 milionë euro rrogë në vit. Jurgen Klop, pastaj, do të hynte në specialitetin e tij për të rikthyer në brazdë yllin e ish-klubit të tij. Valverde, gjithsesi, ende nuk bindet nëse duhet t’i japë duart Dembelesë, apo ta durojë përsëri.

Sfidanti.al