Një milion sterlina shpërblim, nëse Ranieri shpëton Fullhemin!

Trajneri italian, Klaudio Ranieri, u kthye përsëri në Premier Ligën angleze, dy vite mbas ai bëri histori me Lester Sitin që me të në krye, për habinë e madhe të të gjithëve, doli kampion i Anglisë. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një ekip autsajder (pa pretendime) të dilte në vend të parë në kampionatin më elitar anglez. Sidoqoftë, tani Ranierin e pret një detyrë mjaft e vështirë: të sigurojë mbijetesën e Fullhemit në Premier Ligë.
Ranieri pason në detyrën e trajnerit të Fullhemit serbin Sllavisha Jokanoviç që pagoi çmimin e rezultateve të dobta mbas 12 ndeshjeve (vetëm një fitore) të Premier Ligës. Dhe tani do të duhet një terapi shoku që italiani t’u kthejë lojtarëve të këtij ekipi besimin në vetvete.
Media angleze shkruan sot se, nëse Ranieri do të arrijë që ta mbajë Fullhemin në elitën e futbollit anglez, atij do t’i jepet bonusi më i madh që është dhënë ndonjëherë në Premier Ligë për mbijetesën – një milion sterlina!
Në fakt, futbolli botëror nuk mban mend që një trajneri t’i premtohet një bonus kaq i madh dhe, ndërkohë, nuk bëhet fjalë për ndonjë triumf të madh, por për mbijetesë?!
Sfidanti.al