Inter, Real, Rajo. Këto janë ndeshjet që Barcelona ka luajtur pa “fatsjellësin” e saj, Lionel Mesi, por që i ka fituar që të treja. Dominim total në Champions ndaj italianëve, “ipsos” pra po ashtu kundër Madridit në “Kamp Nou”, ndërsa testi i fundit doli më i vështiri, krejt papritur, por u kalua.
Në Vajekas, mbërriti një Barçë jo vetëm pa Mesin e dëmtuar, por edhe me “barkun plot”, të ngopur e të kënaqur, gati për një sy gjumë. U duk se e meritonte të thoshte “natën e mirë” para kohe, pasi Luis Suarez shënoi që në 10’, por menduan vendasit për t’ia punuar bukur.
Hoze Pozo dhe Alvaro Garsia përmbysën rezultatin, duke e tronditur me themel ekipin e trajnerit Valverde, të cilit i iku fytyra. Pikërisht këtu u kuptua se Barcelona mund të bëjë në çdo rrethanë edhe pa Mesin, dhe të përballojë çdo sfidë. Luftoi fort, sulmoi e sulmoi, dhe më në fund gjeti fitoren me rrjetat e Dembelesë e të Suarezit. Uruguajani, në moshën 31-vjeçare po tregon aftësinë prej udhëheqësi, që do t’i bëjë shumë punë katalanasve këtë sezon.
Vendi i parë u mbajt i vetëm, me 24 pikë, ndaj 20 të Atletikos dhe Alaveshit apo ndaj 17 të Realit. Mbetet të shihet ndeshja në Itali për Championsit, ndaj Interit, nëse Mesi do të jetë apo jo (do të udhëtojë, është e sigurt), por sidoqoftë, “blaugranët” fitojnë edhe pa të.
Sfidanti.al