Real, penalltitë e Ramosit nuk janë “bari magjik” për titullin!

Fitorja u arrit dhe objektivi i momentit u përmbush. Reali mundi 2-0 Vajadolidin në ligën spanjolle, duke lënë disi prapa katastrofën e pësuar me Barcelonën, dhe shkarkimin e trajnerit Hulen Lopetegi.

Pas suksesit në Kupë, madrilenët arritën edhe triumfin e dytë me trajnerin e ri, Santiago Solari, veçse sërish publiku në stadiumin “Bernabeu” nuk u bind. Kampionët e Europës vuajtën shumë ndaj një kundërshtari shumë më modest, dhe golat erdhën vetëm në fund.

Talenti i ri brazilian, Vinisus realizoi në minutën e 83-të, duke larguar stresin nga vendasit. Për të siguruar tri pikët, u desh një 11-metërsh që u kthye në gol nga kapiteni Sergio Ramos.

Ky rezultat bëri që Reali të ngjitej në kuotën e 17 pikëve, dhe të kishte një golaverazh pozitiv, veçse nuk mjaftoi për të larguar dyshimet nga një ekip që nuk i ngjan aspak atij të sezonit të kaluar. Largimi i Kristiano Ronaldos dhe i ish-trajnerit Zinedin Zidan vazhdon të ndihet, ndërsa lojtarë të tillë si Benzema, Bejl apo Isko nuk po arrijnë të marrin përgjegjësinë e duhur.

Sfidanti.al