Ronaldo, tek Juventusi po i ngjan më shumë Mesit

Mund të mos shënojë aq shumë gola sa dëshiron, por padyshim që Kristiano Ronaldo i versionit juventin është më i dashur. Me 7 gola në 11 ndeshje të Serisë A, ndodhet në një kuotë mjaft të mirë, por zbukurimi vjen nga 6 asistet e tij, siç bëri edhe në fitoren 3-1 ndaj Kaljarit. Nga egoizmi madrilen i Kristianos thuajse nuk ka mbetur asnjë “grimë”, ndërsa i pasoi Kuadrados topin për golin e tretë dhe të sigurisë.

Portugezi përballoi “unin” e tij të madh, edhe pse iu përkëdhel sedra me të drejtë kur i dhanë fanelën e Juventusit me numrin 400 në shpinë, si kujtim për 400 golat e shënuara me klubet në ligat e mëdha (Junajtid në Angli, Reali në Spanjë, Juventusi në Itali). Kampionët e Italisë mundën ishullorët 3-1 në Torino, me gol të Dibalës, autogol të Bradariçit dhe gol të Kuadrados. Juvja ka 31 pikë, ndaj 25 të Interit dhe Napolit, me vetëm një gabim në 11 ndeshje, një barazim me Xhenoan.

Sfidanti.al