Për Arsenalin u tha se e kaloi me sukses një test për kredencialet për titullin. Barazim nuk do të thotë triumf, por gjithsesi ishte një provë karakteri për një skuadër që ishte dorëzuar vit pas viti ndaj pretendentëve për trofeun e Premier Ligës. Ringjallja nën Unai Emerin nuk qenka false.
Nuk është pak të mbash 62 për qind topin ndaj Liverpulit, dhe të sulmosh e të barazosh kur ke pësuar gol. “Barazimi ishte rezultati logjik”, – tha Jurgen Klop, ndërsa Emeri deklaroi se “jam 50 për qind i kënaqur, pasi doja fitoren”.
Barazimi 1-1 në “Emirejts” bëri që Liverpuli të mbetej i pathyeshëm, por i jep shans Mançester Sitit të shkëputet i vetëm në krye me një fitore ndaj Sauthemptonit në “Etihad”. Çelsi gjithashtu, mund të barazohet me pikë me të kuqtë nëse mund Kristal Palasin në “Stemford Brixh”. Po ashtu, skuadra e Pep Guardiolës ka një plus sepse fitoi 2-0 në fushën e Arsenalit në javën e parë të kampionatit. Gjithsesi, Klopi ka deklaruar se do të ishte i lumtur nëse gara për titull vazhdon kështu deri në fund.
Sfidanti.al