Suksesi i kombëtareve të moshave është te golat e pësuar!

Nja 10-12 vjet më parë, i famshmi Oto Bariç thoshte ndërsa ishte trajner i Shqipërisë se “në asnjë vend të botës, prindërit nuk investojnë aq shumë tek fëmijët e tyre për t’u bërë futbollistë sesa këtu tek ju”. Duket se prindërit shqiptarë qenkan investuesit më të këqinj në botë, pasi fëmijët e tyre që shkojnë në ekipet kombëtare të moshave bëjnë garë kush e kush të pësojë më shumë gola.

Nuk ka rëndësi se çfarë “U”-je del në fushë, numrin 15 apo 17 le t’ia vendosim sipas qejfit, përfundimi është po ai. Duket se djemtë e Shqipërisë dhe trajnerët e tyre po stërviten e po derdhin djersën ditë pas dite, thjesht që të turpërojnë veten, prindërit e tyre dhe tifozët kur dalin në fushë, në ndeshjet ndërkombëtare! Ne presim që pikërisht këta të veshin nesër fanelën e kombëtares!

A është pikërisht kjo, e vërteta pas “dajakut” që pësohet, vit pas viti? Natyrisht, kjo është vetëm një barcaletë, një sarkazmë për të qeshur me hidhërim me këtë që na shohin sytë! Askush nuk mund të gënjehet se ky është vërtet niveli i futbollit shqiptar, niveli i djemve që stërviten pa fund, me prindërit që heqin bukën nga goja për t’i bëjë ata lojtarë profesionistë. Për fat të keq, duket se ka diçka tjetër, jo edhe aq misterioze, që ua shkon kot ëndrrën, duke ndjekur një interes tjetër, që është vdekja e futbollit.

Sfidanti.al