Barça fiton dhe pa Mesin, mund Interin e paralajmëron Realin

Në fundjavë do të jetë ndeshja numër 2 pa Mesin, që qëlloi të ishte “El Klasiko”, por për Barcelonën pati rëndësi të konfirmohej në takimin numër 1 pa gjeniun e saj. Prova “Inter” në Champions u kalua me sukses të plotë, fitore 2-0 dhe kryesim i grupit me pikë të plota 9, duke iu afruar kualifikimit.

Suksesi ishte plotësisht i merituar dhe mund të kishte qenë edhe më i thellë, ndonëse mungesa e Mesit u ndje, sidomos në rrjedhshmërinë e lojës para portës së Handanoviçit. Mediat katalanase kishin kërkuar “11 Mesi në fushë”, dhe kjo ishte e tepruar, por sidoqoftë, të 11 lojtarët luftuan fort, bënë presion të tmerrshëm dhe nuk e lejuan Interin të dilte në lojën e tij.

Italianët patën dy raste vetëm në minutat e para të pjesës së dytë, por pastaj nuk bënë dot asgjë më shumë. Rafinja, ish-interist, dhe Zhordi Alba, ishin autorët e golave, ndërsa më të mirët në fushë ishin disa, si Ter Shtegen, Buskets, Artur, Pike, Zhordi Alba apo Suarez.

Interi kuptoi se Seria A (me përjashtim të Juventusit) e ka të vështirë në Champions, ndërsa do të duhet të mbrojë të paktën vendin e dytë. Për fat, Totenhemi u mbajt në barazim në fushën e PSV Ajndhovenit, një 2-2 ku portieri i anglezëve, Hugo Joris, doli me karton të kuq.  Barça ka 9 pikë, Interi 6, Totenhemi e PSV nga 1.

Katalanasit tani do të përqëndrohen tek “El Klasiko” ndaj Realit në fundjavë, në “Kamp Nou”, dhe mediat madrilene shkruan se fitorja dhe loja ndaj Interit ishte një paralajmërim për rivalët, se Barça është e fortë edhe pa Mesin.

Sfidanti.al