Brazili e Argjentina me short “ferri”, Spanja duket e kënaqur!

I bie që të luajnë për vendin e dytë. Anglia dhe Belgjika janë në hall të madh sonte në prag të ndeshjes mes tyre, pasi paradoksalisht fitorja dhe vendi i parë, do t’i vendosnin në pozita shumë të vështira. Skuadra që do të kualifikohet si e para në grupin G, jo vetëm që do të ndeshet me të dytën e grupit H, por do të ketë rrugën më të vështirë për të shkuar drejt finales së Botërorit.

I tillë është shorti i Kupës së Botës, që përcakton se një Angli apo një Belgjikë kryesuese e grupit, do të ndeshej potencialisht me Brazilin në çerekfinale. Shorti dhe mënyra sesi pëfunduan grupet, bën që në njërin krah të jenë shumica e skuadrave të mëdha. Fituesi i sfidës mes Uruguajit dhe Portugalisë, në të tetat e finaleve, do të ndeshet me triumfuesin e çiftit tjetër tepër të fortë, Francë-Argjentinë.

Një duel Mesi-Ronaldo është plotësisht i mundshëm. Po në këtë krah është edhe Brazili, si dhe fituesja e grupit G, Anglia ose Belgjika. Në të kundërt, në krahun tjetër, Spanja duket e favorizuar. Nëse kalon Rusinë, që edhe parashikohet, do të ndeshej me fituesin e duelit Kroaci-Danimarkë, me kroatët ekip i fortë, por jo i madh dhe pa përvojë në botërorë. Më pas spanjollët, mund të ndesheshin me Suedinë ose Zvicrën, dhe me Belgjikën ose Anglinë, në varësi të rezultatit të sotëm.

Sfidanti.al