Angli-Belgjikë, mos vallë do të jetë garë për vendin e dytë?!

Mos vallë do të jetë një garë për kartonë të verdhë?! Kurrë nuk duhet pohuar kjo në një Kupë Bote, por Anglia e Belgjika do të jenë të grishur shumë për të dalë në vend të dytë në grupin G. Një pozicion i tillë, i siguron një short teorikisht shumë më të favorshëm sesa vendi i parë. Natyrisht, pritet një garë e fortë, mes dy ekipeve më të mirë, një garë që FIFA e ka simbolizuar shumë bukur me dy grupe djemsh që bëjnë tërheqje litari në buzë të detit Baltik në Kaliningrad.

Parimisht, askush nuk dëshiron të humbasë, pasi moralisht do të ishte goditje e rëndë, pavarësisht nga shorti. Meqë të dyja skuadrat janë me pikë të barabarta, me golaverazh totalisht të barabartë, diferencën do ta bëjnë kartonët. Për momentin, Anglia është e para me 2 të verdhë, ndaj 3 të verdhë të Belgjikës.

Trajnerët e dy ekipeve u pyetën për këtë, ndonëse ata folën përpara ndeshjes së Brazilit. “Unë mendoj se ne duhet të hyjmë në fushë për të fituar ndeshjet, dhe duam të krijojmë një mentalitet që skuadra jonë duhet të fitojë gjithnjë, – u shpreh Sauthgejt i Anglisë, – Ne jemi eleminuar në grup në dy botërorë radhazi, dhe e kemi humbur ndjesinë e ndeshjeve me eleminim direkt, prandaj le të përqëndrohemi tek ndeshja. Dua që tifozët të ndihen mirë me një ekip që luan me pasion për vendin e vet”.

Po Martinezi? “Ne jemi të kualifikuar, dhe ky ishte synimi ynë i parë, – tha trajneri belg, . Natyrisht, ne duam të paraqitemi mirë ndaj Anglisë, por prioriteti ynë është të ruajmë lojtarët, jo të fitojmë. Ka lojtarë që kanë kartonë të verdhë, dhe nuk duam që ata të pezullohen për ndeshjet e ardhshme. Çdo lojtar i Belgjikës ka besimin tim, dhe dua që sa më shumë prej tyre të kenë mundësi për të luajtur”.

Belgët pritet të lenë në stol lojtarët kryesorë, Lukaku e Hazar që kanë pasur edhe dëmtime, si dhe De Brujnin e Mertensin. Edhe Anglia do të ketë ndryshime, por kapiteni Harri Kejn pritet të luajë për të synuar Këpucën e Artë. Angli-Belgjikë do të jetë si një ndeshje Premier Lige, pasi 12 lojtarë belgë luajnë në kampionatin anglez.

Sfidanti.al