Pele e ka lartësuar Xherdan Shaqirin para ndeshjes Brazil-Zvicër, duke paralajmëruar 5 herë kampionët e Botës për rrezikun që i kanoset nga ish lojtari i Bayern Munich dhe Interit.
Para ndeshjes mes Zvicrës e Brazilit, që përfundoi 1-1, legjenda e Brazilit, Pele, foli për kundërshtarin, teksa zbuloi edhe më të rrezikshmin.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Instagram”, Pele shkroi se rreziku kryesor te Zvicra është pikërisht Shaqiri dhe ashtu doli, pasi pavarësisht se nuk shënoi gol, bëri paraqitje fantastike përgjatë 90 minutave në “Rostov Arena”, duke ndihmuar Zvicrën që të marrë një pikë në ndeshjen e parë në Rusi.
“Sot vendi im nis udhëtimin në Kupën e Botës kundër Zvicrës. Shaqiri është i rrezikshëm, por skuadra e Brazilit është e fortë dhe e balancuar”, kishte shkruar Pele.
Brazili debutoi në Rusi 2018 me barazim dhe dolën fjalët e Peles për rrezikshmërinë nga Shaqiri.
Brazili e Zvicra gjenden në Grupin E aty ku prin Serbia me 3 pikë, pas fitores 1-0 kundër Kosta Rikës.