Me Amerikën fitojnë të gjithë, ndërsa me Marokun vetëm ..presidenti Duka!

Mos e besoni politikën se ajo kur e ka topin në zotërim, vdes për të na e kaluar poshtë këmbëve. Pale kur flitet për një racë që i hapen  këmbët vetë. Përse u dashka bërë dramë e madhe ngaqë  vota e Shqipërisë  në Kongresin e FIFA-s,  nuk paska shkuar për Ameriken, por për çamarokun e vogël..Marokun! Ne të gjithë e dimë fort mirë se talentin më të madh për të tradhëtuar e dëshmojmë  në votime, aty ku edhe pazari rritet ndjeshëm, dhe, prapëseprapë, sikur na duket e pabesueshme, e paimagjinuar, që vesi të ketë shkuar kaq thellë, sa t’ia dredhim edhe vetë SHBA-së. Apo kur flitet për një mjeshtër të votimeve si presidenti Duka, i cili bën një lojë trilluese, që  s’kuptohet mirë nga të gjithë. Kur ka votime për të mbajtur në fron të pasmen e tij, shpallet fitues, duke pranuar edhe humbje ekonomike nga xhepi i shpuar i futbollit.  Tjetër gjë ndodh  kur është kongresin e FIFA-s, vota mund të mos shkojë për fituesin, por kjo nuk do të thotë se është një humbës!  Në të tilla raste, vota vlen edhe më shumë se vetë ..golat me rofeshatë.

Sipas zakonit tipik të llojit tone, ku topin e frymë me hipokrizi sportive dhe politike bashkë , gjesti i presidentit Duka duket i pafalshëm, me meritë i ndëshkueshëm.  Si ka mundësi që një copë president futbolli të dalë nga shinat apo binaret e   një shteti,  që  është gati ta kalojë oqeanin me not për të treguar se kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjmë për “prindin” tonë. Sido që të shkojë puna, duhet pranuar se futbolli ka patur shtetin e tij këto vite, pa patur aspak frikë nga shteti i madh, ai që e ka ndihmuar  të rritet me vese.  Me vese të “bukura” si ato që na çuan në Europian, ku secili dekoronte tjetrin, dhe me vese që nuk ka kishë t’i falë, kur shkojmë në Kongres me flamurin e Amerikës, por votën  ia “dhurojmë” ..Afrikës.

Sfidanti.al