Nuk ka Real e Barça te femrat, Championsi është “pronë” e Francës

Gjithçka u përmbys me 5 minuta. Lioni kaloi nga pragu i humbjes tek fitorja dhe fitoi Ligën e Kampionëve për herë të tretë radhazi. Finalja e luajtur në Kiev, aty ku do të luajnë edhe djemtë, ishte mes francezeve dhe Volfsburgut gjerman, një finale që simbolizon në mënyrën më të drejtë raportin e forcave në kontinent.

Lioni triumfoi 4-1 pas kohës shtesë, dhe pikërisht në minutat shtesë ndodhi gjithçka. Pasi 90 minutat e rregullta dolën 0-0 në prani të rreth 14 000 shikuesve në stadiumin “Valerij Lobanovskij”, gjermanet kaluan në avantazh në 93’ me golin shënuar nga Pernilë Harder. Për fat të keq, tre minuta më vonë Aleksandra Pop doli me të kuqe për Volfsburgun dhe francezet përfituan. Në 98’ barazoi Amandinë Henri, në 99’ përmbysi shifrat Euzheni Lë Somer, ndërsa në minutën e 103-të, erdhi goli i norvegjezes Ada Hegerberg. Llogaritë u mbyllën në 116’ nga Kamilë Abili.

Lioni është tani pesë herë kampion i Europës, skuadra më e suksesshme në Championsin e femrave me histori të shkurtër. Volfsburgu kishte dalë dy herë kampion më herët, ndërsa nuk arriti ta ngjiste rekordin e Gjermanisë në 10 trofe të Championsit. Ada Hegerberg, ndërkaq, ishte shënuesja më e mirë e kampioneve me 15 gola, e dyta Këpucë e Artë e fituar pas asaj të vitit 2015.

Sfidanti.al