“Mos u mbaj se ç’ke qenë”, Golden Stejt prag eleminimi

Hjuston Rokits ka qenë vazhdimisht një skuadër e denjë e NBA-së, por vetëm rrallë në majë fare. Ky sezon nisi që në fillim ndryshe dhe besohet se mund të “bitisë” po ndryshe. Nën udhëheqjen jo vetëm të Xhejms Hardenit, por edhe të Kris Polit, dhe me lojtarë të përzgjedhur me kujdes e të përmirësuar, ekipi nga Teksasi po arrin të bëjë atë që quhej mrekulli, të eleminojë Golden Stejtin në plej of.

Kampionët në fuqi u mposhtën 94-98 në Teksas dhe janë në humbje me rezultatin e ndeshjeve 2-3. Kjo do të thotë se superyjet Kevin Durant e Stefën Kërri janë vetëm një ndeshje larg disfatës përfundimtare. Hjuston është një fitore larg titullit në Konferencën Perëndimore, dhe një hap larg finales së madhe të NBA-së.

Gjithsesi, në ndeshjen e pestë një rol kryesor pati Erik Gordon që realizoi 24 pikë edhe pse e nisi lojën nga stoli (plus 4 topa në tabela, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje). Pol pati një paraqitje mjaft të mirë me 20 pikë, 7 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa Harden vuajti për të arritur në 19 pikë. Qendra e përmirësuar shumë, Klint Kapela, realizoi 12 pikë e kapi 14 topa në tabela.

Për Golden Stejtin, luajtën mirë 4 lojtarët kryesorë. Kevin Durant shënoi 29 pikë, kapiteni Tompson 23 e Stefën Kërri 22 (plus 7 topa në tabela, 6 asistë, 4 vjedhje topi). Edhe Drejmond Grin pati kontribut me 12 pikë, 15 topa në tabela e 4 asistë, por Durant gaboi shumë në gjuajtjet për 2 pikë, e Kërri në ato për tri. Për më tepër, Golden Stejti nuk pati ndihmë nga lojtarët e tjerë, diçka që ndodh tepër rrallë, dhe që i shkaktoi humbjen.

Ndeshja e gjashtë luhet duke u gdhirë e diela në Shqipëri në fushën e Golden Stejtit, dhe nëse Hjustoni fiton, kalon në finale. Siç thotë populli, “mos u mbaj se ç’ke qenë, apo se ç’ke pasur, por shiko se çfarë je”. Kështu po i ndodh Golden Stejtit.

Sfidanti.al