Të refuzosh stolin e Realit nuk është një gjë që e bëjnë të gjithë. Maurisio Poçetino e bëri, padyshim duke pasur arsye, ndërsa ka nisur të thurë planet për një Totenhem edhe më të fortë. Poçetino nuk deshi të priste finalen e Championsit (shkarkimin ose jo të Zidanit), por u përkushtua në klubin londinez, me shpresë se do të hyjë në histori duke e bërë kampion pas gati 60 viteve.
Trajneri argjentinas firmosi kontratë të re me Totenhemin deri në vitin 2023, ndërsa besohet se presidenti Levi do t’i sigurojë buxhetin. Planet janë për të shpenzuar 100 milionë paund për të marrë Vilfred Zahanë, Antoni Marsialin dhe Rajan Sesenjonin. Spërsat kanë kohë që e kërkojnë Zahanë, por Kristël Palasi po bën ç’mos që të mos e humbasë.
Mançester Junajtid, ndërkaq është i hapur për oferta për Marsialin, por “Deili Meil” (Daily Mail) shkruan se klubi i “Old Trafordit” nuk dëshiron që të përforcojë një rival në Angli. Së fundi, për Sesenjonin, Totenhemi duhet të përballojë një konkurrencë të fortë nga klube të tjerë të Premier Ligës, pas shkëlqimit në kategorinë e dytë me Fulhamin.
Sfidanti.al