Siti me “5 yje” në kërkim të rekordeve

Rekordi i pikëve në Premier është 95 dhe e mban Çelsi (i Murinjos). Rekordi i golave në Premier është 103 dhe e mban po Çelsi (i Ançelotit), rekordi i diferencës së golave është +71 dhe e mban përsëri Çelsi (i Ançelotit). Të gjithë këta rekorde duket se do të thyhen nga Mançester Siti, madje me shumë gjasa pa pritur fundin e sezonit.

Skuadra e Pep Guardiolës fitoi 5-0 ndaj Suonsit këtë të diel dhe u ngjit në kuotën e 90 pikëve kur duhen edhe 4 ndeshje deri në përfundim. i mjaftojnë dy fitore për të vendosur rekordin e pikëve. Blutë e Mançesterit arritën në 98 gola të shënuar, dhe i duhen edhe 6 për të thyer rekordin tjetër. Për momentin, djemtë e Guardiolës e kanë golaverazhin +73, pra e kanë thyer rekordin e Çelsit, e pritet që ta thellojnë.

Siti theu rekordin e klubit me 29 fitore në një sezon në Premier, dhe pritet të thyejë edhe rekordin e fitoreve, që mbahet nga Çelsi i Murinjos në 2016, me 30 suksese.

Pep shpreson që skuadra e tij t’i vendosë këta “sinorë” të rinj në elitën e futbollit anglez, ndërsa synon ta forcojë edhe më tej një skuadër që është shumë e fortë. Ndaj Suonsit ishin në fushë Ederson, Danilo, Kompani, Laporte, Delf, Gyndogan, Bernardo Silva, De Brujn, David Silva, Stërling dhe Zhezus. Në pjesën e dytë hynë në lojë edhe Mendi, Foden e Ture, ndërsa i dëmtuar është Aguero, po ashtu Fernandinjo. Në stol ishin lojtarë shumë të fortë si Sane, Uolker, Otamendi apo Bravo.

Sfidanti.al