Minesota Timbëruolvs nuk kishte arritur asnjë fitore në plej ofin e basketbollit amerikan që nga viti 2004. Një kohë shumë e gjatë në një ligë të tillë si NBA, por ja që kjo gjë ndodhi, veçse seria negative më në fund u këput. Minesota e arriti fitoren e parë në 14 vjet, dhe ndaj kujt do të thoni ju? Pikërisht ndaj skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt, Hjuston Rokitsit, ekipit që quhet favorit për të fituar titullin këtë vit.
Edhe pse përballë patën një formacion shumë të talentuar, të mbështetur sidomos në dyshen Xhejms Harden-Kris Pol, sërish lojtarët vendas këtë herë bënë një mrekulli. Xhimi Batler, ish-yll i Çikagos, shënoi 28 pikë, duke shtuar 7 topa në tabela e 5 asistë, ndërsa Karl-Entoni Tauns shtoi 18 pikë, 16 topa në tabela, 3 asistë, 1 vjedhje e dy bllokime gjuajtjesh. Bashkë me ta, shumë mirë luajtën Endju Uigins, Xhef Tig e Derrik Rouz.
Hjuston ende kryeson në serinë e plej ofit me 2 fitore e 1 humbje, por kjo Minesota e “ringjallur” mund të jetë një rrezik. Kjo do të shihet që në ndeshjen e katërt që do të luhet sërish në fushën e Timbëruolvsit.
Sfidanti.al