Reali i frikesuar për fushatën kundër tij, do të ankohet në UEFA!

Media spanjolle jep lajmin se Reali i Madridit është i shqetësuar, për shkak të fushatës që është ndërmarrë kundër tij, mbas penalltisë që dha gjyqtari në ndeshjen e Champions-it kundër Juventusit. Gazeta “Marka” shkruan se Reali është shqetësuar se fushata e ndërmarrë nga media evropiane, por, sidomos, nga ajo katalonjase, mund të ndikojë tek UEFA. Sipas gazetës, ky shqetësim shtohet edhe më shumë, për shkak të faktit se edhe Bajerni i Mynihut, sezonin e kaluar të Champions-it, kishte vërejtje serioze për gjykimin e ndeshjes çerekfinale mes ekipit bavarez dhe Realit, ndërsa gjermanët bënë akuza se ata ishin dëmtuar nga arbitrimi.

Duke pasur parasysh sa më sipër, Reali ka frikë se gjyqtari i ndeshjes gjysmëfinale të Champions-it të tanishëm mes tij dhe Bajernit do të mund të ndodhet përballë një presioni të madh, duke qenë se është krijuar një atmosferë e tillë e pafavorshme për klubin madridas. Kështu, sikurse bëhet e ditur, krerët e klubit të Realit do të bisedojnë me UEFA-n, së cilës do t’i kërkojnë që për ndeshjen e parë gjysmëfinale mes të dy klubeve të caktohet një gjyqtar me përvojë që të mos t’i nënshtrohet presionit.

Sfidanti.al