“Vrasës dhe kafshë”, “Lufta e tretë Botërore” pas Real-Juventus!

Kulmi ishte ruajtur për në minutën e tretë dhe të fundit shtesë në stadiumin “Santiago Bernabeu”, pikërisht kur Ronaldo ndihmoi Lukas Vaskezin të fitonte një penallti. Vendim i gjyqtarit anglez, Majkëll Oliver shkaktoi një tërmet në fushë, ndërsa armiqësia vazhdoi edhe në përfundim të ndeshjes.

Italianët u tërbuan që po u shkatërrohej një mrekulli që e kishin krijuar me aq mund, dhe veterani Xhanluixhi Bufon e humbi mendjen derisa mori kartonin e kuq. Ronaldo fiksoi fatin e përballjes, me një penallti të ekzekutuar si raketë balistike, dhe Reali arriti në një farë mënyre në gjysmëfinale, ndërsa Bufoni, as pas ndeshjes, nuk mundi dot ta falte gjyqtarin anglez.

“Penalltia? – u pyet ai, – Nuk ka çfarë të thuhet për të. Një gabim i arbitrit edhe ndodh, ky nuk është problem, por një profesionist që vjen të drejtojë një ndeshje të tillë duhet të jetë i përgatitur. Së pari, duhet të dijë se çfarë ndodhi në ndeshjen e parë. Së dyti, duhet të ketë një lloj ndjeshmërie sepse në fushë ishin disa nga lojtarët më të mirë të botës, si Ronaldo, Bufon, Navas, Kielini e të tjerë. Ai dha ato dy vendime në fund dhe tregoi se ishte një vrasës, një kafshë. Vetëm një njeri që ka një kazan plehrash në vend të zemrës, mund të japë vendime të tilla”.

I drejtë apo i gabuar vendimi i gjyqtarit Oliver? Edhe mund të jepej penallti, edhe jo, veçse më lehtë në kontinent sesa në futbollin anglez nga vinte Oliveri.

Ndërsa fliste, legjenda italiane pati një përqafim surprizë me yllin më të madh të vendasve, Kristiano Ronaldon. Portugezi, gjithsesi, kishte mendim tjetër për gjyqtarin. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë që duhet të na shërbejë si mësim që në futboll asgjë nuk dhurohet dhe asgjë nuk është e sigurt, – tha ai, – Gjithsesi, mendoj se jemi fitues të drejtë, dhe përsa i përket penalltisë nuk e di se përse protestojnë. Futbolli, megjithatë është i tillë”.

Trajnerët natyrisht ishin më të qetë. Juventini Masimiliano Alegri fillimisht foli për lojtarët e tij. “Jam krenar për atë që bënë, dhe për gjithçka që po bëjnë këtë sezon, – ishin fjalët e tij, – Jam krenar edhe për atë që bënë në ndeshjen e parë për 60 minuta. Më vjen keq, sepse e meritonin të paktën që të luanin dy kohët shtesë. Sa për penalltinë, arbitri vendosi në këtë mënyrë dhe ajo vendosi ndeshjen. Më vjen keq se kualifikimi u vendos nga dy vendime në kohën shtesë, në Torino dhe këtu në Madrid”.

Zidan, siç pritej kishte opinion të kundërt, edhe pse u tregua i rezervuar. “Padyshim që u shqetësova nga kjo ndeshje, dhe mendova se edhe mund të eleminoheshim, – pohoi ai, – Unë e di se këto janë gjëra që ndodhin këtë sport. E dinim se kundërshtari ishte shumë i fortë, pavarësisht ndeshjes së parë, ndërsa ne bëmë gabime. Pësuam gol që në minutën e dytë, dhe  nuk e menaxhuam ndeshjen siç duhet. Në fund na ndihmoi penalltia, dhe lojtarët e mi më thanë që ishte penallti. Komenti im nuk mund ta ndryshojë atë që ndodhi”.

Festimi madrilen në dhomën e zhveshjes në “Bernabeu” nuk mungoi. Reali ka sërish mundësi ta fitojë trofeun e tij më të dashur, edhe pse ajo që ndodhi ndaj Juventusit e vë në pikëpyetje mbrojtjen sërish të titullit.

Sfidanti.al