Mediat përleshen për penalltinë që eleminoi Juventusin në Madrid!

Real-Juventus nuk u luajt vetëm në fushë, dhe as vetëm në deklaratat pas ndeshjes. Çerekfinalja e Championsit dhe penalltia e dhënë nga gjyqtari anglez, Majkëll Oliver, shkaktoi edhe një luftë të ashpër mediatike, me gazetat që natyrisht që reaguan si të çmendura dhe duke zënë pozicionet e tyre. Në Itali, padyshim ishin kundër Oliverit. “La Gazeta delo Sport” komentoi e përmbajtur: Juventusi i tërbuar! Dominon Realin në Madrid, por eleminohet pas një penalltie shumë të dyshimtë “Il Korriere delo Sport” është krejtësisht tifoze: Çfarë vjedhjeje! Një penallti e paqenë në të 93-ën i mohon Juventusit mrekullinë ndaj Realit në Champions!

Ndryshe në Madrid, qyteti i Realit. Gazeta “Marka” u tregua e prerë: Ishte penallti! Juventusi shkaktoi panik në “Bernabeu”. Reali vuajti si asnjëherë tjetër, por u kualifikua si gjithmonë! Ja edhe gazeta “AS”: Nga paniku në gjysmëfinale! Bufon: Ishte një e dhjeta penallti! Ronaldo: Nuk e kuptoj përse protestojnë! Zidan: Vuajtëm dhe bëmë gabime!

Juventusi pati aleatë edhe në Spanjë, konkretisht në Katalonjë. Gazeta “El Mundo Deportivo” e Barcelonës akuzoi gjyqtarin Oliver: Master në arbitrim! Madridi arrin në gjysmëfinale në stilin e tij, me penallti shumë të dyshimtë në të 93-ën”. Edhe më e rëndë akuza e gazetës tjetër katalanase, “Sport”: Vjedhja e shekullit! Arbitri shpiku një penallti të paqenë që Madridit të kalonte në gjysmëfinale!

Gjithsesi, Reali mori një vlerësim pozitiv nga një gazetë që mund të quhet asnjanëse, si e famshmja “L’Ekip” e Parisit: Një yll i mbarë mbretëror (me foton e Ronaldos)! Të vënë poshtë nga një Juve e madhe, madrilenët shpëtuan mrekullisht kualifikimin, me një penallti të justifikueshme në fund!

Sfidanti.al